Këtë vit, muaji tetor në Evropë theu rekord për temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë, duke arritur pothuajse dy gradë Celsius mbi periudhën krahasuese 1991-2020. Këtë e ka bërë të ditur Shërbimi Kopernik për Ndryshime Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian.
Monitoruesi i klimës, C3S, tha se kjo valë e nxehtësisë “solli temperatura rekorde në baza ditore në Evropën perëndimore dhe një tetor që theu rekord për nxehtësi në Austri, Zvicër dhe Francë”.
Rekorde u thyen edhe në shumë pjesë të Italisë dhe Spanjës për muajin e kaluar.
“Kanadaja përjetoi nxehtësi rekorde dhe kushte shumë më të ngrohta se zakonisht u regjistruan edhe në Grenlandë dhe Siberi”, thanë nga C3S.
Ata theksuan se temperatura më të ftohta se zakonisht u regjistruan në Australi, në pjesët më lindore në Rusi dhe në disa zona në perëndim në Antarktikut.
Ky lajm vjen përderisa liderë botërorë janë grumbulluar në Egjipt për të diskutuar për klimën, të përballur me thirrje për t’i ulur urgjentisht emetimet e karbonit në mënyrë që të shmangen fatkeqësitë e mëtejshme klimatike.
“Pasojat e rënda të ndryshimit klimatik janë shumë të dukshme sot dhe neve na duhen veprime ambicioze klimatike në COP27 për t’u siguruar që reduktimi i emetimeve do t’i stabilizojë temperaturat afër cakut të vendosur nga Marrëveshja e Parisit prej 1.5 gradëve”, tha zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess, duke iu referuar bisedimeve aktuale për klimën që po zhvillohen në Egjipt, në kuadër të OKB-së.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se vendet duhet të bashkëpunojnë ose do të përballen me “vetëvrasje kolektive” në luftën kundër ndryshimeve klimatike./REL