Sot në Kuvendin e Shqipërisë duhet të ishte kryefjalë buxheti dhe paketa fiskale, por diskutimi dhe debati ndryshoi që në fillim të seancës, pasi PS futi me procedurë të përshpejtuar ligjin për Portin e Durrësit. Kjo shkaktoi të debat dhe akuza të shumta nga opozita, të cilave Edi Rama iu përgjigj me sharje dhe ofendime.
Por çfarë thotë projektligji i paraqitur në Kuvend për Portin e Durrësit?
Edhe pse bëhet fjalë për një investim prej më shumë se 2 mld Euro, gjithçka është paraqitur vetëm me 6 nene. Dokumenti i paraqitur në Kuvend përbëhet vetëm nga tre faqe.
Qeveria i kërkon parlamentit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me kompanitë “Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company”, sh.a., dhe “Nshmi Development L.L.C”, për ndërtimin e portit të Durrësit.
Pronat, lejet dhe taksat
Pronat shtetërore me vendim të qeverisë i kalojnë shoqërisë që të do të bëjë ndërtimin. Lejet dhe licencat për shoqëritë duhet të bëhen brenda 150 ditëve nga momenti kur parashikohet që në 24 nëntor ligji të miratohet në Kuvend.
Gjithashtu në nenin dy të projektligjit theksohet që shoqëria që do të ndërtojë në portin e Durrësit do të përjashtohet nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin që ajo duhet të japë për strehimin social.
“Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në projektligj.
Dokumenti që i është paraqitur sot deputetëve, përpara se të nisin diskutimin nëpër komisione e më pas në seancë parlamentare, parashikon që së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por që deri në këto momente nuk janë bërë publike.
Rama fut me urgjencë ligjin për Portin e Durrësit, PD: Po “gatuhet” afera e madhe
Historia e portit të Durrësit është e mbushur me akuza të forta nga Sali Berisha në drejtim të Edi Ramës por jo vetëm. Në shënjestër ka qenë edhe Lulzim Basha, që sipas tij bashkë me kryeministrin janë pjesë e aferës.
Rama mbron portin e Durrësit, Tabaku: Skemë e njëjtë si inceneratorët
Në 2020 Shqipëria firmosi një pakt me Emiratet e Bashkuara për zhvillimin e portit, por një vit më pas doli në skenë EMAAR, kompania që transformoi Dubain.