Bashkimi Evropian ka përsëritur edhe një herë thirrjen për ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia ta bëjnë hapin historik për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve, duke ju referuar planit franko-gjerman.
Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano ka konfirmuar se kanë marrë tashmë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe të njejtat janë duke studiuar, ndërsa ka bërë thirrje që dy vendet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Ne duhet të kapërcejmë gjendjen e përhershme të krizës dhe të ulim tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Tashmë kemi marrë përgjigjet nga të dyja palët dhe jemi duke i studiuar. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kyçe për të përparuar në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Stano.
Një takim i mundshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq mund të ndodhë këtë të enjte në Paris, pasi të dy kanë konfirmuar se do të udhëtojnë për në Francë dhe këtij takimi mund t’i bashkohet presidenti francez Emmanuel Macron, kështu të paktën ka konfirmuar të mërkurën mbrëma kryeministri Kurti përmes një videomesazhi ku ka thënë se në Paris do të shkojë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ndërsa ka paralajmëruar takimin trilateral me Vuçiqin e Macronin.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë tutje tha se është i gatshëm për një marrëveshje me Serbinë e cila ka në qendër njohjen reciproke.
“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka deklaruar Kurti.
Kosova, vështirë t’i thotë jo planit franko-gjerman
Për Kosovën duket se plani i Gjermanisë dhe Francës është i pranueshëm, të paktën kështu ka thënë në një intervistë televizive të martën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se “Kosova e ka problem që t’i thotë jo këtij plani”.
“Baza e tij është një bazë e shëndoshë për ecje përpara për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshje që është thelbi i kësaj marrëveshjeje. Ky plan ndërtohet mbi tri principe – e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”, është shprehur Konjufca.
Në rast se Serbia vë nënshkrimin e saj në këtë propozim, Konjufca thotë se Serbia pajtohet se Kosova është e pavarur edhe pse jo me notë verbale. Por, për këtë të fundit Serbia duhet ta ndërmarrë me patjetër, qoftë edhe 24 orë para hyrjes në Bashkimin Europian, meqë është kushti i BE-së për ta pranuar Serbinë në Union.
Për Serbinë, plan i papranueshëm
Në anën tjetër zyrtarë serbë kanë deklaruar publikisht se plani i Francës dhe Gjermanisë, është i papranueshëm për ta. Në rast se nuk kanë ndryshuar qëndrim deri më tani, ishte ministri Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili më 4 nëntor ka thënë se plani franko-gjerman në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është i papranueshëm për Serbinë.
“Qëndrimi i Serbisë është i qartë, ai plan nis nga baza e papranueshme, nga fakti që çështja e zgjidhjes politike konsiderohet e përfunduar dhe se ne vetëm duhet ta pranojmë, me dëshirë apo pa, me zë të heshtur, pavarësinë e Kosovës”, kishte deklaruar javën e kaluar Daçiqi.
Cka përmban plani i (pa)pranueshëm
Media “Euractiv” ka publikuar në gjuhën angleze përmbajtjen e këtij propozimi, i cili pëbeht nga 9 pika.
Neni 1
Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.
Neni 2
Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE.
Neni 3
Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.
Neni 4
Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.
Neni 5
Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.
Neni 6
Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.
Neni 7
Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.
Neni 8
Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.
Zhvillimet e sotme në Paris pritet të qartësojnë më shumë atë që mund të ndodh për planin franko-gjerma. /Zëri