Një grup shqiptarësh protestuan sot në Londër kundër etiketimeve të ministres së Brendshme Suella Braverman, e cila i ka cilësuar “pushtues”. Por ish-eurodeputeti britanik, Nigel Farage e ka cilësuar protestën “turp”.
“Këta njerëz nuk kujdesen asgjë për vendin tonë apo sakrificat e së kaluarës. Kjo që po ndodh sot në Londër është një turp”, ka shkruar ish-deputeti në Twitter.
Mesazhi u shoqërua bashkëngjitur me një video të një shqiptari, i cili në statujën e Winston Churchill, kishte vendosur edhe flamurin shqiptar.
Ndër të tjera, një pyetje, Farage ia shtron edhe vetë Braverman-it. “Çfarë do të bëni për këtë gjë Braverman?”, e pyet ai sekretaren britanike.
Farage, njihet për qasjet e tij tejet radikale kundër emigrantëve. Ai ka qenë kryetar i partisë për Brexit, para se procesi të përmbyllej me referendumin pro daljes nga eurozona.
Farage ka qenë ndër zërat kryesorë, të cilët e kanë shtyrë popullin britanik të votojë pro këtij fakti.