Perspektiva globale ekomomike është më e zymtë se parashikimet e muajit të kaluar, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Shkaqet kryesore për këtë, sipas FMN-së, janë inflacioni në rritje dhe pasiguria ushqimore, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Muajin e kaluar, FMN-ja uli parashikimin e saj për rritjen ekomomike në vitin 2023 në 2.7%, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.9%.
Në një raport të përgatitur për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, që do të mbahet në Indonezi të martën, FMN-ja tha se treguesit e fundit “konfirmojnë se perspektiva është edhe më e zymtë”, sidoms në Evropë.
“Sfidat, me të cilat po përballet ekonomia globale, janë të mëdha, dhe indikacionet ekonomike tregojnë sfida të tjera përpara”, tha FMN-ja, duke shtuar se mjedisi aktual i politikës është “jashtëzakonisht i pasigurt”.
Përkeqësimi i krizës energjetike në Evropë do ta dëmtonte rëndë rritjen ekonomike dhe do të rriste inflacionin, paralajmëroi huadhënësi global.
Inflacioni në gjithë botën ka nisur të rritet fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Rritja ka vazhduar edhe pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Këto dy vende janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.
FMN-ja paralajmëroi se edhe moti gjithnjë e më ekstrem mund ta dëmtojë rritjen ekonomike./REL