I cilësuar si “mbreti” shqiptar i kokainës në Amerikën Latine, Dritan Rexhepi vijon që të jetë në qendër të mediave ekuadoriane pas zhdukjes.
Ai po vuante dënimin në qeli, por papritur në fund të vitit të kaluar lirohet me kusht. Arsyeja? Për sjellje të mirë.
Por kush e “zbuti” rebelin shqiptar? Duket se gjithçka ishte përgatitur me kujdes deri në detaje si pjesë e planit për t’u liruar më pas u arratis.
Avokati i shqiptarit deklaroi se nuk i mban mend detajet e çështjes dhe se nuk mund të raportojë nëse kapoja shqiptare ka vazhduar të respektojë dispozitat e organeve gjyqësore. Sipas procesit, Rexhepi u favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kishte kryer të paktën dy të pestat e dënimit.
Gjithashtu, në datën 4 nëntor 2021, përmendet se kapoja shqiptare”, ka një sjellje shumë të mirë’, përveç kësaj nuk regjistron tentativë arratisjeje, po ashtu ka edhe një raport pune.
Sipas informacioneve nga Funksioni Gjyqësor, Rexhepi siguroi se do të jetonte në një apartament në Central Park të Samborondón, 14 kilometra nga Guayaquil.
Në këtë kompleks banesash private, një apartament prej 125 m2 mund të kushtojë nga 165 000 USD. Mirëpo, siç thuhet në raport, më 10 shkurt 2022, Rexhepit i është autorizuar ndërrimi i adresës, por adresa e re nuk ishte e shënuar.
Më 23 dhjetor 2020, një gjyqtar mohoi kërkesën për lirimin e kapos shqiptar. Në atë kohë, avokat i Rexhepit ishte Harrison Salcedo, i cili u qëllua me armë në prill të këtij viti në Kuito.
Dritan Rexhepi është i shumëkërkuar jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Belgjika dhe Italia.