Në pjesën e dytë të emisionit ‘5 Pyetjet’ nga Ilir Babaramo në ‘Report Tv’ u diskutua në lidhje me projektin aq shumë të përfolur të Portit të Durrësit. Të ftuar ishin ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi dhe konsulenti financiar, Azmi Stringa.
Teksa fliste për këtë projekt, ish-ministri Preçi e konsideroi atë si diçka që nuk ngjan as si projekt strategjik dhe as zhvillimor. Sipas tij, po të shikosh dokumentet e servirura nga qeveria në lidhje me këtë projekt, shikohet qartë se përparësi ka ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve në atë zonë.
‘Ky projekt ngjan si një projekt që nuk është as strategjik dhe as zhvillimor. Kemi të bëjmë me një abuzim të madh. Po të shohësh dokumentet e servirura, shikohet qartë që përparësinë e ka ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve, dhe shitja e apartamenteve. Zakonisht portet e jahteve ndërtohen nëpër laguna. Unë e shoh si një justifikim portin e jahteve. Përdorimi i metodës së prokurimit të drejtpërdrejtë nuk mund të mos sjellë rreziqe të tjera.’, tha Preçi.
Si i shikoni termat financiare të këtij projekti? Kush përfiton më shumë?
‘Ia kam parë me kujdes dhe kam bindjen që është një investim që nuk do të justifikohet. Është një investim për ti bërë dikujt favor dhe në të njëjtën kohë kjo s’ka lidhje me zhvillimin. Ka interesa korruptive pas këtyre vendimmarrjeve.’