Tra akuza rëndojnë mbi Orges Xhelilin, i cili sulmoi me thikë kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi si dhe shoferin e tij. Ai akuzohet për “Vrasje e funksionarëve publike”, e mbetur në tentativë, “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
“Hetimet janë në fazën fillestare të tyre dhe se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje po kryhen verifikime në drejtim të dinamikës së ndodhjes së ngjarjes, motiveve, administrimin dhe këqyrjen e provave materiale, marrjen e deklarimeve nga persona që kanë dijeni mbi ngjarjen dhe kryqëzimin e tyre me njëra-tjetrën dhe me provat në tërësi, me qëllim hetimin objektiv të ngjarjes”, njoftoi prokuroria.









