SPAK ka rënduar pozitat e ish-deputetit Alqi Bllako, që ndodhet në burg në lidhje me inceneratorin e Fierit. Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që ka qenë sekretar i ministrisë së Mjedisit dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime ka favorizuar kompaninë e koncesionit të ndërtimit të inceneratorit të Fierit të Klodian Zotos kundrejt shpërblimit për të atin, Edmond Bllako rreth 15 mln lekë që i mori pa shkuar asnjë ditë në punë. Regjistrimi u bë fiktiv në inceneratorin e Tiranës. Ai u pagua 6000 euro në muaj për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020.
“Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020. Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako” thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
SPAK: Zoto i pagoi numrit dy të FSHF-së udhëtimet, hotelin dhe biletat e stadiumit