Pas lajmit se 9 deputetë të Listës serbe kanë pranuar mandatin në Kuvendin e Kosovës ka ardhur dhe konfirmimi zyrtar nga kjo parti.
Përmes një komunikate për media nga “Lista Serbe”, e drejtuar nga Goran Rakiç, ka thënë se “veprimi strategjik ka parandaluar planin e Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se kjo ishte dhe një përgjigje ndaj politikanes serbe Rada Trajkoviç pasi thonë se ajo me kryeministrin Kurti kanë “planifikuar” të votojnë “ndryshime kushtetuese që do të çonin në eliminimin e komunave serbe, heqjen e pronës nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe dhe të drejtën për përfaqësim në institucione”.
Më tej thuhet se “ky vendim strategjik nuk ndalon në asnjë mënyrë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës”, si kundërpërgjigje për “shkeljen e marrëveshjes së Brukselit”
Në fund potencojnë se qëllimi i tyre pas këtij vendimi për zëvendësim të mandateve është që të mos lejojnë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti bashkë me Rada Trajkoviç që “t’i qepin një kapelë popullit serb” dhe të vendosin për jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë.