Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov deklaroi se Moska shpreson që mund të arrihet një marrëveshje me Uashingtonin mbi shkëmbimin e të burgosurve.
Rusia shpreson për një shkëmbim të të burgosurve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshi një shkëmbim të trafikantit rus të armëve Viktor Bout.
Zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov, tha: “Dua të shpresoj që të mos mbetet vetëm perspektiva e një shkëmbimi të mundshëm, por dhe se do të vijë momenti kur do të arrijmë një marrëveshje konkrete.
“Amerikanët po shfaqin aktivitet të jashtëm, ne po punojmë profesionalisht përmes një kanali të veçantë të krijuar për këtë arsye,” tha Ryabkov.
“Viktor Bout është në mesin e atyre që po diskutohen dhe ne sigurisht që shpresojmë në një rezultat pozitiv”.
Shkëmbimi i mundshëm i të burgosurve do të përfshinte edhe basketbollisten amerikane Brittney Griner, e cila përballet me nëntë vjet burg në Rusi pasi u dënua për akuzat e trafikut të drogës, dhe ish-marinsin Paul Whelan.
Ky i fundit po vuan një dënim 16-vjeçar në Rusi pasi u dënua për akuzat për spiunazh, të cilat ai i mohon.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, me tensionet e ngritura për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini.