Mbrëmjen e djeshme para selisë së parlamentit në Podgoricë u zhvillua protesta e radhës, ku me mijëra qytetarë kërkuan tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi.
Duke iu drejtua qytetarëve, profesoresha dhe aktivistja Jasmina Nikçeviq, e cila është edhe bashkëorganizatore e këtyre protestave, vuri në dukje rëndësinë e këtyre protestave për mbrojtjen e shtetit të Malit të Zi.
“Tubimi i sotëm, si dhe tubimet e mëparshme dhe të ardhshme, nuk janë protesta të asnjë partie, asnjë grupi partiak, asnjë individi, por më e rëndësishmja, është një thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e rendin kushtetues dhe institucioneve të shtetit në Malin e Zi,” tha zonja Nikçeviq.
Në protestë folën edhe studentë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile të cilët mbështesin Malin e Zi si “një shtet shumetnik dhe të barabartë për të gjithë popujt që jetojnë në të”.
Para dhe pas ndërtesës së parlamentit dhe tek selia e qeverisë u vu re një prani e shtuar e policisë, si dhe automjeteve të blinduara , ndërkohë që protestat po zhvillohen të qeta.
Kjo është protesta e dytë që nga fillimi i këtij muaji. Me 8 nëntor protestuesit kundërshtuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin, përmes së cilit partitë në pushtet synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.
I tillë është vlerësuar ky ligj edhe nga juristët dhe organizatat joqeveritare, ndërsa diplomatët e vendeve kryesore perëndimore thanë se po “i ndjekin me shqetësim zhvillimet politike në Malin e Zi”.