Kuvendi i Kosovës ka postuar në faqen e tyre në Facebook një sqarim pas raportimeve se deputetët e Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje do të vazhdojnë të paguhen për 12 muaj.
Përmes postimit Kuvendi ka bërë me dije se deputetët në momentin që japin dorëheqjen atyre u hiqen të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, duke përfshirë edhe pagën.
Sipas njoftimit, e drejta për pagë gëzohet vetëm kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo në ndërprerje të mandatit.
Postimi i plotë:
Sqarim
Në funksion të sqarimit të publikut lidhur me përfitimet e ish-deputetëve, njoftojmë si në vijim:
Kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit, deputetët e legjislaturës përkatëse gëzojnë të drejtën në pagë kalimtare deri në një sistemim të ri, më së shumti 12 muaj.
Ndërsa kur deputeti jep dorëheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj.