Autoritetet ukrainase në Kiev po paralajmërojnë për një “mbyllje të plotë”, ndërsa temperaturat nën zero po mbërthejnë vendin.
Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të rënda në rrjetin energjetik të kryeqytetit ukrainas, ndërkohë sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, nga kryeqyteti, Kievi, në veri deri në Odessa në jug, duke shkatërruar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës, tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal.
“Fatkeqësisht, Rusia po vazhdon sulmet me raketa kundër infrastrukturës kritike civile të Ukrainës, duke luftuar kundër popullatës civile dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ujë, ngrohje dhe sistemet e komunikimit gjatë dimrit.” Ai i bëri këto komente gjatë bisedimeve me nënpresidentin e Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis në Kiev.
Kryeministri ukrainas shtoi se, “më 15 nëntor, Rusia hodhi rreth 100 raketa në qytetet e Ukrainës. Pothuajse gjysma e sistemeve tona energjetike janë çaktivizuar”. Mes një moti me temperatura të ulëta, rreth 10 milionë njerëz në vend kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Presidenti ukrainas tha se njerëzit po përjetojnë ndërprerje të gjata të eneregjisë elektrike në 18 rajone, përfshirë Kievin, dhe ai shtoi se punonjësit e shërbimeve publike po bëjnë “gjithçka për të rikthyer furnizimin me energji elektrike”./VOA