Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Derisa pas dy ditësh, fillon zbatimi i masës së shqiptimit të gjobave në Kosovë, për vozitësit që në veturat e tyre, bartin targat ilegale, Escobar në intervistë për RTK-në ka thënë se shpreson që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, me mbështetjen e Emisarit Special të BE-së.
Ai theksoi se do të vazhdojnë t’i mbështesin në mënyrë aktive këto përpjekje.
I dërguari i SHBA-së ka folur edhe për deklaratat e Listës Serbe se nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
“Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës si edhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime. Ne jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e komunitetit se mund të mos ekzistojnë kushtet për zgjedhje të suksesshme. Por, është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të jetë e përgjegjshme ndaj këtyre shqetësimeve. Zgjedhjet duhet të mbahen në frymë demokratike, pa kanosje politike”, tha ai.
Esobar tha më tej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian, se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin.
Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të demonstrojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për të qetësuar situatën. Pastaj palët duhet të dyfishojnë angazhimet e tyre në dialog, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë i kanë nënshkruar, që nënkupton edhe fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.