Konferenca e OKB-së për klimën përfundoi të dielën, dy ditë më vonë se sa ishte planifikuar, me krijimin e një “fondi të kompensimit të humbjeve dhe dëmeve”, për të cilin analistët thonë se është një hap drejt ndihmës për njerëzit që tashmë po vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike. Por, në vendbanimet e goditura nga rrëshqitjet e dheut në Brazil, vendasit thonë se do të duhen më shumë se para për të shmangur katastrofën.
Në vitin 2020, dhjetëra njerëz humbën jetën nga shirat që shkaktuan rrëshqitjen e dheut në një vendbanim të varfër në Brazil. U deshën ditë të tëra për të nxjerrë trupat e viktimave.
Familjet e zonës thonë se ndryshe nga rasti i viteve dhe brezave të kaluar, shiu tashmë është agresiv, i rrezikshëm dhe i tmerrshëm.
“Shiu është shumë i ndryshëm këto ditë. Unë punoj me të moshuarit. Ata thonë se kurrë nuk kanë parë stuhi të tilla shiu. Klima është shumë e ndryshme”, thotë Joseilda Borges Amarante, banore Guarujas.
Fondi ka për qëllim të ndihmojë komunitetet e varfra dhe më të pambrojtura, të cilat po ndeshen me pasojat vdekjeprurëse të ndryshimit të klimës.
Duke marrë parasysh që takimet e para zyrtare për të diskutuar se ku mund të merren paratë dhe si do të shpërndahen ato, është planifikuar të mbahet deri në mars të vitit 2023, marrëveshja nuk ndihmon shumë familjet që tashmë po vuajnë më së shumti pasojat e ndryshimit të klimës./VOA