Presidenti Bajram Begaj ka ngushëlluar ditën e sotme familjen Rushaj në Shkodër për humbjen e dy pjesëtarëve të familjes, që i mori rrjedha e përroit.
Begaj ka zgjedhur një tjetër formë ngushëllimi duku u dërguar telegram familjarëve. Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka shkruar se përmes mesazhit dëshiron ti gjendet sa më pranë familjarëve.
Telegrami i presidentit:
Të dashur familjarë të të ndjerëve Pjetër e Jason,
Më trishtim të thellë përjetova lajmin e humbjes tragjike të jetës së dy pjesëtarëve të familjes tuaj, për shkak të reshjeve të rrëmbyera të ditëve të fundit.
Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e babait dhe birit tuaj! Në këto momente kaq të vështira që po kaloni, përmes këtij mesazhi dëshiroj të jem sa më pranë jush!
Në 20 nëntor, babë e bir ndërruan jetë pasi makina me të cilën po udhëtonin u morë nga rrjedha e përroit në zonën e Malësisë së Madhe.
Pjetër Rushaj, dhe djali i tij 14-vjeç mbetën viktimë dhe një ditë më pas trupat e tyre u gjetën nga palombarët.