Prokuroria e Posaçme lëshoi dy urdhër arreste për tjetërsimin e 403 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit. Sipas SPAK gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare.
Në kërkim u shpall Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi” i Shijakut dhe në arrest shtëpie u la ish-përfaqësuesi i Avokatit të Shtetit për Durrësin, Irgen Kërçuku, i cili akuzohet se mori 9 mln lekë për tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë. “Rrumi” është në kërkim prej më shumë se një muaji për një tjetër ngjarje dhe ky ishte fletë arresti i dytë.
Por çfarë thotë dosja?
Prokuroria ka në dosje mes shumë provash edhe dy video që u gjetën në telefonin e “Rrumit”, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017. Ai shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Ish-avokati pranoi se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se “Rrumi” i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.
Biseda në video
Në videon e sekuestruar si provë nga Prokuroria e Posaçme, Muharremi shfaqet duke i dhënë 6 milionë lekë Kërçukut, ndërsa ky i fundit e pyet: “pjesa tjetër kur do ta sjellësh”. Muharremi përgjigjet: “kur të marri formë të preme”.
“Do 5 mln dhe pikë…”! Videoja zbuloi pazaret e “Rrumit” për pronat në Gjirin e Lalzit
Gjatë një seance pyetjesh me Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e personit nën hetim, ish-avokati Irgen Kërçuku ka pranuar marrjen e ryshfetit prej nëntë milionë lekësh në dy këste nga Rrumi, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato.
Sipas dëshmisë së tij në prokurori, Rrumi e kishte takuar atë, pasi “e kishte rregulluar me hipotekën që nga ana e saj të mos bënte ankim”. Paratë i ishin dhënë në këmbim të mos-bërjes së apelimit ndaj një vendimi që Gjykata Administrative e Durrësit pritej të merrte ndaj padisë së bërë nga shtetasi Pal Seçuni për regjistrimin e 45 mijë metrave katrorë tokë në fshatin Draç.
Konfiskohet prona në Gjirin e Lalzit, SPAK fut në “rrjetë” avokatin, arratiset “Rrumi”