Observatori i Futbollit i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve të Futbollit (CIES) në Nojshatel, Zvicër, ka publikuar një tjetër studim në lidhje me skuadrat pjesëmarrëse në kampionatin botëror në Katar.
Ky institucion ka bërë parashikimin e 32 skuadrave pjesëmarrëse, duke bërë një renditje nga skuadra më favorite, deri tek ajo që ka më pak shanse për t’i shkuar deri në fund turneut arabik.
Për arritjen në përfundimet e veta, ky observator ka përdorur matricat e “Impact Score” (pikëzimit sipas impaktit), duke publikuar listën e kombëtareve favorite për të fituar titullin më 18 dhjetor.
Studimi i bërë nga CIES ka përsëritur në një farë mënyre atë çfarë flitet prej muajsh në lidhje me parashikimet, teksa sheh Brazilin si kombëtaren favorite për fitimin e Botërorit.
Por në ndryshim nga shumë parashikime të deritanishme, CIES nuk ka llogaritur Argjentinën apo Francën kampione bote si rivalet më të forta të Brazilit. Përkundrazi, si kandidatja numër dy e turneut për CIES-in është Spanja e Luis Enrikes.
Pikëzimi sipas impaktit llogaritet duke nisur nga niveli mesatar sportiv në ndeshjet ku marrin pjesë lojtarët e 32 skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin botëror. Studimi ka analizuar ecurinë e 832 lojtarëve në harkun e 365 ditëve të fundit para nisjes së Botërorit në Katar.
Sipas këtij studimi, favoriti kryesor për të fituar Kupën e Botës në Katar, duke marrë parasysh 26 lojtarët e thirrur nga secila skuadër, është Brazili, me një mesatare prej 90.8 pikësh, i ndjekur nga Spanja (88.9), Franca (88.8), Anglia (88.8), Portugalia (87.2), Gjermania (87.2) dhe Argjentina (85.5).
Studiuesit kanë bërë edhe një llogaritje duke marrë për bazë vetëm njëmbëdhjetëshin me ndikimin më të madh, në të cilët rezulton se sërish favoriti është Brazili me 96.6 pikë, përpara Francës (95.9) dhe Spanjës, e cila do të zbriste në vendin e tretë me 95.4 pikë.