-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Konfiskohet prona në Gjirin e Lalzit, SPAK fut në “rrjetë” avokatin, arratiset “Rrumi”

Kryesoret

Prokuroria e Posaçme e njohur si SPAK ka çuar në arrest shtëpie ish-përfaqësuesin e Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku dhe ka shpallur në kërkim Aleksandër Lahon, të njohur me disa emra dhe nofkën “Rrumi” i Shijakut. Ata akuzohen për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit dhe korrupsion.

SPAK thotë se ka zbuluar një skemë të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës. Për këtë arsye janë sekuestruar rreth 200 000 metra katrorë te Gjiri i Lalzit dhe 203 100 metra katrorë me vendndodhje Shetaj, po te Gjiri Lalëzit.

Akuza e plotë e SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

“Do 5 mln dhe pikë…”! Videoja zbuloi pazaret e “Rrumit” për pronat në Gjirin e Lalzit

Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës. Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.

Por si u zbulua?

Prokuroria ka shumë prova, mes tyre janë 2 video që u gjetën në telefonin e Rrumit, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017. Rrumi shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.

Më 13 qershor 2017, dy persona u filmuan me një telefon celular teksa po negocionin një çmim për një proces gjyqësor pronësie. Në transkriptet e Prokurorisë së Posaçme, njëri prej personazheve të videos identifikohet si “zyrtari”, ndërsa tjetri si “i interesuari”.

Dy burrat debatojnë mbi shumën e parave që nevojiten për të blerë tërheqjen nga apelimi për çështjen gjyqësore. “Zyrtari” është i pakënaqur nga oferta prej 5 milionë lekësh, ndërsa “i interesuari” i reziston kërkesës për të paguar më shumë.

“Unë u thashë… Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do themi nga 5 u bëka 12, duket sikur bëhem unë dallaverexhiu. Të besosh edhe m’u se nuk jam unë i zoti i punës,” thotë ai.

Pengmarrje dhe prona! Gjykata i jep goditjen e dytë “Rrumit” të Shijakut

Biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit – një personazh i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho ose “Rrumi” – një nofkë që simbolizon kallirin e zhveshur të misrit.

Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Kush është ‘Rrumi i Shijakut’?

I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte ‘mik’ i ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.

Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë.

Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit