Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në një deklaratë për mediat tha se projekt-buxheti 2023 nuk parashikon asnjë paketë sociale, duke i lënë shqiptarët e varfër të përballen të vetëm me koston e jetesës që rritet përditë.
Sipas saj në këtë kohë krize qeveria e Ramës po i lë shqiptarët pa asnjë mbështetje.
“Kriza e çmimeve e ka rënduar gjendjen e vështirë ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare. Për të tretën herë në tre vitet e fundit, shqiptarët gjenden pa mbështetje në kulmin e një krize. Fillimisht tërmeti, më pas pandemia dhe sot kriza e çmimeve e kanë vënë qeverinë në prova që nuk ia doli t’i kalojë me sukses.
Jo vetëm kaq, por këto kriza u provuan edhe njëherë shqiptarëve se prioriteti i qeverisë “Rama” janë klientët e saj dhe jo qytetarët.
Prova e radhës është Projekt -Buxheti i vitit 2023, i sjellë nga qeveria për miratim.
Ky buxhet nuk parashikon asnjë paketë sociale, duke i lënë shqiptarët e varfër të përballen të vetëm me koston e jetesës që rritet përditë.
Ndërkohë që shqiptarët zhyten në varfëri, qeveria pasurohet.
Sa më shumë rriten çmimet, aq më shumë para hyjnë në arkën e qeverisë për t’u ndarë më pas me klientët e saj.
Të braktisur dhe pa asnjë shpresë, të rinjtë dhe intelektualët po marrin rrugët e Europës. Emigrimi masiv i shqiptarëve po zbraz shkollat, duke vënë në rrezik të ardhmen e vendit.
Partia e Lirisë e ka fokusin te të rinjtë dhe e sheh arsimin si mekanizmin kyç për të luftuar largimin e shqiptarëve nga vendi.”