Në ditën e tretë të përmbytjeve Edi Rama ka dalë në terren. Ai sot ishte në Durrës për të ndjekur nga afër përmbytjet. Zona e ish-Kënetës ka qenë problemi kryesor në Durrës. Kryeministri justifikoi përmbytjet duke thënë se më parë Durrësi kthehej në liqen.
“Durrësi ka qenë mirë, mirë përgjithësisht, dikur bëhej liqen. Kur ka reshje të mëdha është si puna e lavamanit, po e lëshove me furi bllokohet, nuk ka mundësi t’i thithë të gjitha.
Në Durrës (çka s’do t’jua tregonin kurrë përndryshe në kanale e portale) falë punës së palodhur të kryetares së bashkisë janë shëruar pjesa dërrmuese e pikave të mbetura problematike nga e shkuara, siç është edhe zona e Sukthit të Ri, ku prurjet u frenuan nga argjinatura e ndërtuar pas përmbytjeve të mëparshme.
Mbeten problem disa pika të veçuara në zonën e ish-kënetës, ku ndërtimet pa leje janë bërë nën kuotë dhe ku rezulton tejet e vështirë shmangia e pranisë së ujit në disa dhjetra shtëpi, në rast reshjesh të dendura” tha ai. Në Shkodër apo Lezhë ende nuk ka shkuar kryeministri Rama.