Zyra e Prokurorit të Specializuar ka refuzuar t’i pranojë masakrat që u kryen nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Kjo u vu në pah pasi gjyqtari i procedurës paraprake kishte urdhëruar avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’i paraqitnin faktet për të cilat pajtohen të dy palët.
Në shkresën e përbashkët, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kishin renditur 135 krime me masakrat më evidente të kryera përgjatë luftës. Asnjë prej masakrave nuk u pranua si fakt nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
ZPS për këtë më 10 nëntor e njoftoi Mbrojtjen. Pasi kishte paraqitur në dy anekse faktet për të cilat ishin pajtuar me Mbrojtjen, të tilla si informacione personale të të akuzuarve, organi i akuzës ka treguar se me Mbrojtjen nuk pajtohet për masakrat.
“ZPS uk pajtohet me faktet e gjetura në propozimin e përbashkët të Mbrojtjes. Fakte të tilla kanë të bëjnë me krime të cilat nuk janë në Aktakuzë dhe çdo marrëveshje për të nuk do t’i përshpejtonte procedurat”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë për faktet e dakorduara.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kishin theksuar në shkresën e tyre të përbashkët ku theksonin masakrat ndaj familjes Jashari në Prekaz, masakrën e Reçakut, Çikatovës së Vjetër e masakrën e Mejës./Express