Disa komuna në Kosovë po përballen ende me reduktime të ujit, si pasojë e vërshimeve të 20 nëntorit, që kanë shkaktuar turbullira në kanalin e ujit të ‘Ibër Lepencit’.
Kompania Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’, ka thënë se me reduktime po përballen komuna e Fushë Kosovës, lagjja Kalabria në Prishtinë, komuna e Drenasit dhe ajo e Obiliqit.
Zyrtarë të ndërmarrjes hidro-ekonomike ‘Ibër-Lepenci’, e cila furnizon me ujë të papërpunuar kompaninë, Ujësjellësi Rajonal Prishtina, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar për të evituar problemin dhe se në ditët në vijim pritet të ketë rënie të turbullirave.
“Pasi kanali është i tipit të hapur, është vështirë që të mbrohet nga ndikimi i natyrës/të reshurave në sasi kaq të mëdha. Jemi të vetëdijshëm edhe për problemet që mund të ndodhin edhe tek ujësjellësi rajonal. Por, ju garantojmë që jemi në përpjekje maksimale që t’i zbusim këto ndikime”, ka thënë kompania në një përgjigje me shkrim.
Si pasojë e reshjeve të shiut janë dëmtuar shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.
Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë ndër komunat e prekura më së shumti nga vërshimet./REL