Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë për prestigjiozen britanike BBC në lidhje me emigrimin e shqiptarëve ilegalisht drejt Anglisë.
I pyetur nga gazetari se çfarë nuk shkon në Shqipëri që po detyron shqiptarët të rrezikojnë jetën në gomone, ai është përgjigjur se duhet të përmirësohet modeli ekonomik.
“Rrënjet e këtij fenomeni kanë të bëjnë padiskutim edhe me modelin ekonomik, të cilin ne këtu në Shqipëri, duhet ta përmirësojmë. Ne duhet të rrisim standartin e jetesës. Ne si politikanë kemi përgjegjësi për të dhënë më shumë shpresë për shqiptarët që të besojnë në të ardhmen e vendit. Por nga ana tjetër, është e nevojshme të lehtësohet regjimi i vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar,” është shprehur Bushati.
Nga na tjetër ai ka shtuar se “ka gjithmonë vend për të bërë më shumë kur vjen fjala te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka gjithmonë vend për përmirësim kur vjen fjala te mënyra sesi krijohet dhe shpërndahet pasuria. Por nga ana tjetër, shqiptarët ndjehen kulturalisht dhe psikologjikisht shumë të lidhur me Perëndimin”.