Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar se për vetëm 9 muaj në 2022 në buxhet është shkaktuar një dëm mbi 1 miliard euro ose 122 miliardë lekë.
Në auditim janë marrë në sitë 147 institucione qendrore në varësi të Qeverisë dhe bashkive si ministri, drejtori të përgjithshme, agjenci, njësi të qeverisjes vendore, shoqëri aksionere ku janë konstatuar shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik.
Në këtë dëm peshën kryesore e mbajnë tatim-taksat me 45 miliardë lekë, tek Doganat 846 milionë lekë, në fushën e shitjes-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.
Ndërkohë për të njëjtën periudhë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë.
Po ashtu është bërë dhe një denoncim në Prokurori për 6 punonjës të drejtorisë së Kadastrës në Sarandë.
Konkretisht, në auditimin e kryer në DVASHK Sarandë me kallëzimin penal të përcjellë në Prokurori janë kallëzuar 6 persona të konstatuar me shkelje të rënda të cilët janë drejtues të nivelit të lartë e të mesëm Ish-Drejtor, Drejtoria Rajonale ALUIZNI-t; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë.