Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën ndërmjet Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde.
Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.
Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.
Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe./REL