Kontrolli i Lartë i Shtetit i vë vulën korrupsionit dhe grabitjes së fondeve publike nga Qeveria e Edi Ramës.
Shpërdorimi dhe grabitja e taksave të shqiptarëve, kalon shifrën 1 miliardë euro, vetëm për periudhën janar-nëntor 2022.
Tashmë çdo gjë është provuar me dokumente dhe fakte nga KLSH-ja dhe përgjegjësia që bie mbi Qeverinë, është shumë e rëndë dhe e pakapërcyeshme.
Shkaqet kryesore të këtij dëmi kaq të madh ekonomik janë:
Së pari, mosrealizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve dhe së dyti shkelje të rënda të disiplinës financiare, në administrimin e të ardhurave.
Në buletinin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave.
KLSH ka zbuluar shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në vlerën 47 miliardë lekë, ku tatim-taksat janë 45 miliardë, doganat 846 milionë dhe shit-blerje e dhënie me qira e pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.
Ndërkohë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë, nga të cilat 53 miliardë lekë janë si rezultat i keqmenaxhimit të fondeve të programuara dhe realizimit të procedurave të prokurimit publik në shkelje të legjislacionit.