Në vitin 2019, “Stop” ka publikuar rastin e Luan Nikollarit, i cili denonconte ndërtuesen Drita Daci, për shitje dy herë të apartamentit, që e kishte blerë me kredi në vitin 2015. Çifti Nikollari ka ndërruar jetë, por ndërtuesja Daci vijon të shkaktojë probleme pa i hyrë gjemb në këmbë.
Banorët e dy pallateve të ndërtuar nga Drita Daci denoncojnë këtë të fundit, pasi ajo ka braktisur objektet dhe banorët janë detyruar, të zgjidhin bashkë energjinë, ujin, ashensorin dhe hipotekën e apartamenteve.
“Këtë pallat e përfunduam ne banorët me investimet tona. Kjo nuk zbatoi projektin, nuk solli as ujë, as ashensor, as shkallë dhe ne u detyruam sepse kishim paguar paret. Dy ashensorët që janë vënë dhe montuar, bashkë me sistemin e ujit të pijshëm, bashkë me energjinë elektrike kanë shkuar afërsisht 50 e ca mijë Euro. I kanë paguar vetë banorët, përveç çmimit që e kemi blerë”, u shpreh një qytetar. “Asnjë gjemb në këmbë nuk i ka hyrë asaj”, u shpreh një qytetare.
Një tjetër tha se shtëpinë e tij ndërtuesja e kishte shitur 3 herë.
“Kam qenë në gjyqe me të. Drita Daci nuk u dënua”, tha qytetari.
Më në fund, në 2021-shin, këto dy objekte u legalizuan me kërkesën e banorëve dhe me shpenzimet e tyre. Në një ceremoni pompoze certifikatat u dhanë nga kreu i Kadastrës Artan Lame.
Por legalizimet u anuluan, pasi Drita Daci bëri një denoncim në SPAK me pretendimin, se banori që u mor me legalizimin ka marrë para. Banorët e penalizuar nga abuzimi dhe pandëshkueshmëria, përballen me ndërtuesen problematike, duke ia numëruar në fytyrë të gjitha problemet.
Drita Daci: Janë bllokuar se janë bërë në mënyrë të paligjshme nga administratori i pallatit zoti Naim Peka.
Gazetari: Po këto hyrjet që i keni shitur nga dy herë, tre herë?
Drita Daci: Nuk ka hyrje të shitura nga dy herë.
Gazetari: Pse e keni braktisur këtë pallat dhe është bërë nga banorët? Kush e ka vënë ashensorin?
Banorja: Ashensorët iu vumë vetë. Prit të flas unë tani. Ashensorin e vumë vetë?
Drita Daci: Po.
Banorja: Ujin e vumë vetë?
Drita Daci: Po.
Banorja: Dritat i lidhëm vetë?
Drita Daci: Kush tha? Unë të them. Të gjithëve u është zbritur në këstet e fundit që kanë pasur.
Banorja: Absolutisht asgjë.
Gazetari: Janë banorët këtu zonjë, mos gënje se është turp. Zotërisë ia ke shitur tri herë ke qenë në gjyq dhe nuk të ka hyrë gjemb në këmbë? S’është e vërtetë? Hajde ikim pyesim zotërinë.
Drita Daci: Kush?
Gazetari: Ja të vijë zotëria. Ti je ndërtuese. Ja zotërisë ia ke shitur apartamentin tri herë.
Drita Daci: S’është e vërtetë!
Gazetari: Është e vërtetë?
Banori 1: Si nuk është e vërtetë? Ka qenë fierakun, me ty. I ke letrat aty moj zonjë.
Drita Daci: I kam letrat aty të gjitha.
Banori 2: Dy vjet që nuk paguan shkallën, do ia ndërpresim me ujë e me drita.
Banorja: Na ke vjedhur tërë kohën.
Drita Daci: Ti je pa kontratë fare.
Gazetari: Miqtë e “Stop” kjo është ndërtuesja Drita Daci. E patë edhe debatin, ajo gënjen haptazi. Ka shitur hyrje deri në tre herë./tvklan.al