Në 24 orët e fundit në Kinë janë shënuar rreth 31.444 raste të reja me COVID-19, kjo ka bërë që të forcohen kufizimet.
Banorëve të tetë rajoneve në Zhengzhou, ku banojnë 6.6 milionë njerëz, iu tha të qëndrojnë në shtëpi për pesë ditë duke filluar nga e enjtja, përveç për blerje të ushqimit ose trajtime mjekësore. Testim masiv ditor u urdhërua si pjesë e asaj që qeveria e qytetit e quajti “luftë asgjësimi” kundër virusit.
Gjatë përplasjeve të së martës dhe mërkurës, policia e Zhengzhou i rrahu punëtorët që po protestonin për një mosmarrëveshje lidhur me pagat në fabrikën më të madhe të telefonit të mençur Iphone, nga kompania Apple, që ndodhet në zonën industriale afër qytetit.
Foxconn, pronarët nga Tajvani, kërkuan falje të enjten për “një gabim teknik në sistemin kompjuterik” dhe thanë se do të garantonin se pagesat do të bëheshin ashtu siç ishin marrë vesh fillimisht dhe siç ishte paralajmëruar gjatë rekrutimit.