Në datë 6 Dhjetor në Tiranë do të mblidhet Samiti i BE-Ballkani Perëndimor. Liderët e vendeve të BE-së, mes tyre kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron, kryeministrja italiane Meloni dhe shumë të tjerë do të zbarkojnë në Tiranë.
Pas pritjeve, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.
Në tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, siguria, por edhe shumë çështje të tjera, mes tyre heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia. Më pas, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Ditën e samitit, opozita ka organizuar protestë në Tiranë përballë Kryeministrisë. Sali Berisha garantoi sot se nuk do të cenohet siguria e miqve.
1200 efektivë policie do të jenë në dispozicion të liderëve të BE-së që do i shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit në datë 6 Dhjetor.