Mediat malazeze kanë zbardhur detaje të reja nga kokaina që ishte fshehur me plehut kimik dhe që u transportua drejt Shqipërisë, për t’u bllokuar më pas në fshatin Frakull të Fierit.
Mbi 15 persona janë shoqëruar dhe arrestuar deri tani, mes tyre anëtarë të familjes Cervenaku. Media malazeze “Vijesti” shkruan se porositësi i kokainës është “Z. Cervanaku nga Tirana”.
Droga ishte fshehur mes plehut artificial për tartuf që mbërriti në portin e Tivarit në mes të korrikut. Autoritetet malazeze po prisnin që klienti të vinte për dërgesën, për ta arrestuar.
“Vijesti” shkruan se sinjali i parë që paletat ishin ngarkuar me diçka më të shtrenjtë dhe jo me pleh artificial, ishte diferenca e madhe në vlerën e ngarkesës dhe transportit të saj. “Kontrolli ka nisur pas kësaj.
Më pas në aksion u përfshi policia vendase shqiptare dhe DEA. Ndërkohë që policët dhe doganierët ruanin ngarkesën, në fshehtësi të rreptë, personat e lidhur me agjentin e plehrave ishin nën vëzhgim” shkruan media malazeze.
“Bëhet fjalë për një ngarkesë me pleh të porositur nga një person fizik nga Shqipëria. Kam porositur një skanim të kontejnerit dhe skaneri nuk tregoi asgjë të dyshimtë, por edhe pas kësaj pata dyshim se ngarkesa ishte e dyshimtë, sepse këtë e tregoi analiza e sektorit në administratë.
Kemi kërkuar nga policia dhe nga qendra mjeko-ligjore që të bëjnë një analizë laboratorike, e cila ka treguar se kokaina është dekompozuar në pleh”, tha një zyrtar malazez. Sipas pretendimeve të tij, 300 deri 400 kilogramë kokainë ishin përzier me pleh.