Ish-presidenti Ilir Meta ka postuar një mesazh mbështetje për gratë dhe vajzat në ditën kundër dhunës. Kryetari i partisë së Lirisë shprehet se çdo akt burracak dhune, verbale e fizike ndaj tyre, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet.
“Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave nuk duhet të jetë e vetmja ditë kur duhet të dënojmë dhe të ngremë me forcë zërin kundër shkeljes më brutale të të drejtave të nënave, grave, motrave dhe vajzave shqiptare.
Çdo akt burracak dhune, verbale e fizike ndaj tyre, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet, sidomos nga një shoqëri dhe komb si i yni, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta.
Partia e Lirisë inkurajon, do të mbështesë çdo përpjekje dhe do të bëjë gjithçka për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave shqiptare, për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe për përfshirjen e merituar në vendimmarrje sepse ne besojmë se vetëm fuqizimi ekonomik dhe shoqëror i tyre do ta bëjë Shqipërinë edhe më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të lumtur. Gratë dhe vajzat janë bukuria, energjia, vitaliteti dhe forca e Shqipërisë” shkruan ai.