Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua të premten se aleanca veri-atlantike do t’i ndihmojë Ukrainës të mbrohet në luftën kundër Rusisë “për aq kohë sa të ketë nevojë”. Ai, gjithashtu, tha se NATO-ja do t’i ndihmojë vendit të shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne sipas standardeve perëndimore.
Në një konferencë për media para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, që do të mbahet javën e ardhshme në Rumani, Stoltenberg kërkoi nga vendet anëtare që, ose individualisht ose në formë grupore, të vazhdojnë t’i ndihmojnë Ukrainës me armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. NATO-ja, si organizatë, nuk dërgon armatim.
“NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, tha ish-kryeministri i Norvegjisë.
“Aleatët janë duke dërguar në mënyrë të paprecedentë mbështetje ushtarake dhe unë pres që ministrat e Punëve të Jashtme do të pajtohen ta rrisin edhe mbështetjen jo-vdekjeprurëse”.
Stoltenberg tha se anëtarët e organizatës 30-kombëshe të sigurisë i kanë ndihmuar Ukrainës me karburante, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje për dimër dhe pajisje për bllokimin e dronëve – veçanërisht tani që Rusia e ka sulmuar infrastrukturën e energjisë në Ukrainë./REL