44 orë në arrati dhe në fund i futi plumbin vetes. Sokol Halili, autori i vrasjes makabre të Hamide Megashit në Kosovë sot i dha fund jetës.
Policia e Kosovës deklaroi se e rrethoi në shtëpinë e tij dhe i kërkoi që të dorëzohej, por Halili nuk pranoi dhe në fund i dha fund jetës duke u vetëvrarë.
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili.
Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, tha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai bëri me dije edhe se Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së Halilit.
Hamide Megashi 35-vjeçe kishte dalë nga materniteti për të blerë diçka dhe kur po kthehej ishte takuar me ish-bashkëshortin, i cili raportohet se menjëherë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me tre plumba.
Halili kishte ushtruar dhunë fizike e psiqike ndaj 35-vjeçares disa herë, madje kjo raportohet të ketë qenë edhe arsyeja e fillimit të procedurave për divorc.