Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 43 vjeçar me dy mbiemra, i cili njihej për precedentë të theksuar kriminal, për vepra të rënda penale. Ai është Sherif Çela (I.), banues në lagjen Nr. 2, Durrës, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, i cili në momentin e arrestimit ndodhej në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër pistolete dhe municion luftarak.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Klienti”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Durrës. Me armë zjarri pistoletë me vete, në ambientet e një lokali, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 43-vjeçari.
I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal, për vepra të rënda penale. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, krehëri i saj dhe municion luftarak.
Shërbimet e Policisë së Durrësit, si rezultat i punës së pandërprerë monitoruese dhe vëzhguese, ndaj shtetasve me precedent të mëparshëm kriminal, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Klienti”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Sh. Ç. (I.), 43 vjeç, banues në lagjen Nr. 2, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
43-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal, për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Sh. Ç. (I.), i cili në momentin e arrestimit ndodhej në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër pistolete dhe municion luftarak” mbyllet njoftimi.