Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i bëri thirrje Sali Berishës që të heqë dorë nga protesta përpara Kryeministrisë ditën e martë që përkon me samitin e BE-së.
Pasi i tregoi gjuhën e forcës kur tha se “jemi përgatitur për çdo gjë”, Rrumbullaku foli edhe si politikan, kur deklaroi se kjo ngjarje, pra samiti, “për 30 vite është hera e parë dhe nuk di kur mund të përsëritet një ngjarje e tillë”. Ai mohoi që policia të kishte informacione për skenar dhune.
“Kemi parë dhe vlerësuar edhe kërkesën për protestë në datën 6. Kemi kthyer një përgjigje ligjore, teknike dhe profesionale në interes të samitit, për një ngjarje që për 30 vite është hera e parë dhe nuk di kur mund të përsëritet një ngjarje e tillë.
Kemi thirrur organizatorët dhe kemi përcaktuar detyrimet qartësisht. Të protestojnë në hapësira të tjera të lirë. Ky samit është në interes të të gjithë shqiptarëve. Mendoj se nuk do të ketë asnjë lloj problemi.
Nuk ka asnjë lloj informacioni për zhvillime të dhunshme. Nuk kemi pse të nxisim. Nuk është në interes të askujt për të pasur atë ditë cështje të tilla. Por ne nuk kemi deklarata të tilla” tha ai.
LIVE-Rrumbullaku apel Berishës: Thirri arsyes, mos kalo vijën e kuqe! Jemi gati për çdo gjë