Policia e Shtetit ka vendosur që të bllokojë 17 akse rrugore me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë që të hënën, një ditë para samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor do të mbahet në Tiranë.
Bllokimi i rrugëve nis që në orën 14:00 me 5 akset rrugore nga Aeroporti i Rinasit, Qafë-Kashar, ish-Sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
Ndërsa 12 rrugët e tjera të bllokuara do të jenë në afërsi të qendrës së kryeqytetit, në perimetrin e sigurisë të vendosur nga autoritetet.
Në këto rrugë është kërkuar nga policia që të hiqen automjetet e parkuara gjatë rrugës.
Gjithashtu kufizime të tjera të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Ky kufizim bëhet për shkak të delegacioneve që do mbërrijnë nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe të Morinës.
Policia e Shtetit ka vendosur në gatishmëri më shumë se 1500 forca policie në të gjitha strukturat e kupolës blu përfshirë këtu në maksimum kapacitet njerëzore dhe logjistik.