Vullkani Semeru ka shpërthyer ditën e sotme në ishullin kryesor të Indonezisë, në Java ku për pasojë janë evakuar 2000 persona.
Vullkani nisi shpërthimin në orën 02:46, sipas kohës lokale.
Autoritetet kanë paralajmëruar se aktiviteti i vullkanit ka përshkallëzuar dhe se ata duhet të largohen sa më larg vendndodhjes së shpërthimeve.
Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar, por pothuajse 2000 persona janë evakuar nga zona afër vullkanit.
Banorëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë të paktën 8 kilometra larg vullkanit, pasi valë të nxehta të llavës po vazhdojnë të derdhen nga mali Semeru.
Sipas një zëdhënësi të Qendrës së Vullkanologjisë dhe Gjeologjisë në Indonezi ngritja në nivelin 4 të rrezikut nënkupton se shtëpitë e banorëve janë në rrezik.
Agjencia Kombëtare për Fatkeqësi në Indonezi lajmëroi se për shkak të shiut dhe hirit vullkanik në fshatrat përreth janë evakuar 1969 persona.
Kjo agjenci tha se të paktën gjashtë fshatra janë prekur.
Indonezia gjendet në “Unazën e Zjarrit”, ku ndeshen dy pllaka tektonike dhe vendi shpesh përballet me tërmete dhe ka aktivitet të lartë vullkanik.
Semeru, i njohur edhe si Mali i Madh, është vullkani më i lartë në Java, pasi gjendet në 3.676 metra lartësi dhe është një prej vullkaneve më aktiv.
Vitin e kaluar kur ky vullkan shpërtheu la të vdekur të paktën 50 persona.
Pas shpërthimit të vullkanit në Indonezi, Japonia lëshoi paralajmërime për cunam në ishujt e saj.