Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga sheshi në protestë u tha se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri.
“Ndaj nga ky shesh, të zotohemi ne se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri.
Ju ftoj të brohorasim: poshtë stabilokracia dhe vota e vjedhur, rroftë vota e lirë. U them udhëheqësve politikë të Europës, se Edi Rama është i padenjë të qëndrojë në atë samit.
Shqipëria është në rrezik të vërtetë ekzistencial. Këto kohë të gjithë jeni dëshmitarë se si shqiptarët pas 31 viteve u shfaqën kanaleve të La Manshit duke kaluar sirianë dhe afganë dhe kryeministri i Shqipërisë fajësoi qeverinë britanikë.
Por kjo është vetëm maja e dramës së shpopullimit. 740 mijë shqiptarë kanë emigruar gjatë kësaj qeverisje, mbi 500 mijë janë të rinj dhe fëmijë. Cila është e vërteta? Çfarë do të thotë kur shkollat mbyllen, kur bizneset ulin qepenat?
Kombi po ikën, po i vjedhin të ardhmen e tij. Nuk është e nevojshme të jem mjek për të kuptuar që këto shifra flasin për një trup në vdekje e sipër. Mbi shqiptarët po bëhet spastrim etnik në proporcionet e një gjenocidi. Shqipëria është në rrezik, ne do e shpëtojmë atë” tha ai.