Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të jenë të kujdesshme për t’i shqyrtuar të gjithë faktorët që zgjedhjet e planifikuara në komunat veriore më 18 dhjetor, të mbahen në rrethana qetësie.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se BE dënon sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga dhuna e aktet provokative su dhe të përkushtohen për kthimin e menjëhershëm të atmosferës së sigurtë.
“Kur shqyrtohet organizimi i zgjedhjeve të pjesshme në veri, autoritet e Kosovës duhet të marrin parasysh të gjithë faktorët e sigurisë, administriv dhe politikë për t’u siguruar që zgjedhjet të jenë përfshirëse dhe në rrethana qetësie”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Situata në veri u përkeqësua pasi që, gjatë së martës, grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata.
Edhe ambasada amerikane në Prishtinë, ka vlerësuar se kushtet e brishta të sigurisë nuk e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve sipas datës së përcaktuar.
Ndërkaq, nga Presidenca e Kosovës, kanë deklaruar se vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u takon institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë [nga KQZ-ja] për shtyrjen e zgjedhjeve… presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Beogradi i ka kundërshtuar gjithashtu zgjedhjet e planifikuara për komunat veriore reja. Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, ka thënë se “Albin Kurti dëshiron të imponojë zgjedhje”.