-sidi education-spot_img
1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tre shtylla! PD propozon paketën anti-korrupsion: Inceneratorët, porti dhe offshore-t

Kryesoret

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka propozuar sot një paketë anti-korrupsion që përfshinë disa pika me fokus të veçantë te tenderat dhe kompanitë fituese. Propozimi prek edhe komisionet hetimore për mënyrën e ngritjes. Por vështirë, për të mos thënë e pamundur që propozimet do të miratohen nga qeveria Rama.

Deklarata e plotë

Lufta ndaj korrupsionit është në krye të herës një çështje e vullnetit politik dhe unë e di që sado që të denoncoj opozita, sado alternativë që të ofroj opozita kjo është një çështje që është në dorë të qeverisë.

Për ta luftuar korrupsionin ne duhet së pari ta njohim atë, që ekziston, ta pranojmë atë. Relativizimi, mohimi, normalizimi i korrupsionit sigurisht që nuk ndihmon.

Sot, arsyeja kryesore pse të rinjtë dhe shqiptarët largohen është korrupsioni, është mungesa e mundësive, është sistemi që është ngritur i cili vlerëson gjithmonë më të fortin e më të pasurin dhe penalizon gjithmonë atë që është më i dobët.

Kjo ndodh që nga aplikimi për një vend pune, e deri tek “konkurrenca për një tender” apo një garë publike.

Sot, të gjithë mendojnë që pa pasur një mik, pa njohur një politikan ose pa pasur mbështetje nuk ja dilet.

Asnjëherë nuk ndiej kënaqësi kur lexoj raporte ndërkombëtare të cilët e citojnë Shqipërinë për situatën e korrupsionit ashtu siç është. Në fakt sot:

  1. Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Transparency International që nga viti 2016.
  2. Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit, ku sot korrupsioni bëhet me ligje;12 ligje konsiderohen si ligje për kapjen e shtetit, 10 prej tyre janë miratuar në 9 vitet e fundit.
  3. Korrupsioni është endemik dhe i përhapur në çdo institucion thotë Progres-Raporti, por njëkohësisht dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.
  4. Raporti i Gjykatës Europiane të Auditimit thotë që 1 në 3, 30% jepen pa garë.
  5. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konsideruar dëm ekonomik në 8 vitet e fundit 8 miliardë euro, buxheti i 2 viteve me radhë!

Të gjitha këto sot sigurisht që janë realitet që çdo shqiptar e ndjen çdo ditë në jetën e tij të përditshme, por në ditën e luftës ndaj korrupsionit, në 8 Dhjetor, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë do të prezantoj një paketë me 5 ligje që ne do të lançojmë sot. Kjo sigurisht që nuk do të kufizohet në vetëm këto propozime, por do të vazhdojë dhe do të pasurohet njëkohësisht dhe me propozime të tjera në kohë.

Tre janë shtyllat kryesore të cilat ne jemi fokusuar në propozimet tona;

Rritja e kërkesës së llogarisë, forcimit të kushteve për dhënien e tenderave publike, duke nisur nga ato normale duke vazhduar me ata sekretë; rritja e transparencës dhe së fundmi rritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë për këdo që merr një vendim me dëm për buxhetin e shtetit.

Në vite ka pasur jo rrallë nisma kundër korrupsionit, por këto nisma më shumë kanë qenë të fokusuara në korrupsionin e front desk-ut, në atë të banakëve. Ndërkohë që sot po flasim për një tjetër lloj korrupsioni që është ai i kapjes së shtetit, korrupsion i nivelit të lartë.

Dhe unë nuk e pranoj dot si argument që më thuhet që sot dy ministra janë pas hekurave. Dy ministra sot janë pas hekurave sepse arroganca, moszbatimi i ligjit, moskonsiderimi i ligjit është aq i lartë saqë besojnë se nuk i prek asgjë, sepse sistemi i ngritur është i tillë.

Nga Komisioni Hetimor i Inceneratorëve ne zbuluan se veprimi dhe mosveprimi i qeverisë për dhënien me koncesion të 3 inceneratorëve, i kushtoi buxhetit të shtetit një kosto prej 430 milionë euro që e paguajmë sot dhe do ta paguajmë në vitet në vijim.

Rasti në fjalë, është një nga ato raste që ne patëm mundësi që ta analizojmë nëpërmjet një Komisioni Hetimor, por ndërkohë që shumë tendera dhe koncesione nuk kalojnë një sitë e një filtër të tillë. Ndërkohë që në harkun kohor të 1 dekade ky dëm për buxhetin e shtetit po shkon në 8 miliardë euro.

Prandaj kemi propozuar ndryshime në të paktën 5 ligje që prekin ligjin e koncesioneve/ partneriteteve publike private; ligjin për rregullimin e territorit; ligjin për komisionet hetimore dhe ligjin për investitorët strategjikë.

Këto kanë disa elementë dhe disa parime bazë të cilat ne besojmë që duhet t’i ketë çdo kontratë publike:

  1. Rritjen e transparencës ndaj publikut nëpërmjet krijimit të një “Pasaporte të Prokurimit Publik” ku do të paraqitet çdo e dhënë e kompanisë së bashku me dokumentacionin e një procedure publike, duke filluar që nga numri i referencës dhe çdo dokument zyrtar që kjo kompani aplikon tek zyrat e shtetit, por njëkohësisht kjo zotëron.
  • Krijimi i sistemit të kontratave publike njihet në të gjitha vendet e BE si sistemi më i mirë që ofron mundësinë e kontrollit dhe skrutinimit. Sot heq pengesën më të madhe që kanë gazetarët, publiku që është informacioni qe nuk është i disponueshëm në asnjë rast.

Ky sistem do të ketë të gjitha koncesionet, tenderat, PPP-të, përfshirë dhe lejet dhe licencat që ka çdo kompani nga qeveria shqiptare, por njëkohësisht aksesi në financa dhe të dhëna të tjera publike që sot është e pamundur që të merren.

  1. Shmangien e kompanive offshore nga çdo lloj gare, duke filluar nga investitorët strategjik, duke vazhduar me koncesionet/ partneritetin publik privat dhe gara të tjera publike. Synimet e ndryshimeve tona ligjore janë të tilla që duan ta lidhin deklarimin dhe publikimin e pronarëve përfitues si aksionarë apo ortak, duke i përjashtuar ato përfundimisht nga gara. Një gjobë nuk është e mjaftueshme.
  2. Ndryshimi i tretë lidhet me forcimin e kritereve të garancisë monetare.

Sikundër është vënë re në shumë kontrata publike nga inceneratorët deri tek kontratat e fundit që janë diskutuar si ajo e Portit të Durrësit, kompanitë jo vetëm që vënë kolateral pronën e fituar përmes koncesionit për të marrë një kredi, por nga ana tjetër nuk kanë asnjë të dhënë financiare. Ne kërkojmë që me këto amendime, çdo eksperiencë e tillë të mos përsëritet.

Jo vetëm kaq por kemi forcuar gjithnjë e më shumë edhe vërtetimin e situacionit financiar të kompanisë që fiton koncesionin. Mundësinë që këto kompani të kenë asete reale, fizike dhe jo letra bankash që do të marrin në të ardhmen kredi duke vendosur kolateral këto kontrata koncesionare.

Sot ekziston një kategori biznesesh që nuk kanë asnjë aktivitet tregtar, përveçse të bëjnë biznes me shtetin dhe fatkeqësisht këto kategori biznesesh sot kanë të ardhurat më të larta.

Shtylla e dytë e ndryshimeve që ne mendojmë se janë të domosdoshme lidhen paralelisht me ligjin për PPP-të dhe koncesionet dhe ka 3 elementë të rëndësishëm;

  1. Rritja e përgjegjësisë personale; një nga elementët që ne e kemi vënë gjatë Komisionit Hetimor të Inceneratorëve ka qenë shmangia e përgjegjësisë individuale duke u fshehur pas përgjegjësisë kolektive. Në fakt, çdokush që mban një post publik duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij personale. Prandaj amendimet kanë forcuar më shumë përgjegjësinë personale, por njëkohësisht me parimin e refuzimit të individit për të kryer një vepër korruptive. Sot dhjetëra zyrtar shteti janë përpara drejtësisë dhe fshehin pas tyre personat e vërtetë politik dhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodh më.
  2. Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se zotëron së paku 50% të të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm.
  3. Rritja e kërkesës llogarive për sa i përket pastrimit të parave; Shqipëria prej vitit 2019 është përfshirë në listën gri të Pastrimit të Parave dhe sektori i ndërtimit është një ndër sektorët ku ka influencën më të madhe të parasë informale.

Me qëllim eliminimin e të gjithë paqartësive, por njëkohësisht dhe burimet e financimit që ka sot ndërtimi, ne propozojmë ndryshimin e ligjit për kontrollin e territorit duke kërkuar dhe depozituar një raport të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që një subjekt pajiset me një leje ndërtimi ose me një certifikatë përdorimi. Po kështu kemi kërkuar që të sanksionohet detyrimin e autoriteteve publike për të refuzuar këtë në rastin kur subjekti nuk e parashikon ose nuk e paraqet këtë vërtetim.

Unë besoj që konfirmimi i burimeve të ligjshme të financimit është minimum për këdo që duhet të ketë marrëveshje me shtetin.

Së fundi, por jo nga rëndësia, kërkesa jonë lidhet edhe me nevojën e ndryshimit të llogaridhënies përmes ndryshimit të instrumenteve që ka në dorë parlamenti dhe rishikimit të ligjit për komisionet hetimore.

Ligji i Komisioneve Hetimore është i vitit 2003, është i vjetër në kohë, ka shumë pengesa për opozitën, por nga ana tjetër ka dhe shumë elementë që e pengojnë jo vetëm krijimin e tij, por dhe punën e këtij komisioni.

Prandaj ne kemi kërkuar që ligji sot të ketë disa amendamente që nga momenti i heqjes e së drejtës së Kuvendit për ta shtruar në debat parlamentar duke i dhënë formë të prerë ngritjes së tij. Duke vazhduar me pengesën që ekziston për marrjen e informacionit. Për këtë arsye që saktësisht të themi se kush janë të dhënat në të cilat një komision hetimor ka akses, duke filluar nga ato publiket duke vazhduar me ato sensitive, por njëkohësisht aksesi në të dhënat e kompanive publike dhe private.

Gjithashtu mundësia për të thërritur në komision çdo dëshmitar, përfshirë edhe ata që mund të jenë nën hetim.

Sikundër e shihni, 3 kanë qenë shtyllat kryesore që ne kemi pasur parasysh; rritja e kërkesës së llogarisë; rritja e përgjegjësisë individuale, por njëkohësish kolektive dhe qeveritare; rritja e transparencës duke krijuar sistemin e kontratave publike.

Unë besoj që qëllimi i çdo ligjvënësi është që të ngrejë barrierat mbrojtëse që duhet të ketë vendi ndaj korrupsionit.

Natyrisht, mbetem e bindur që çdo gjë është në dorën e qeverisë shqiptare. Unë mbetëm e bindur që vullneti për ta luftuar korrupsionin është me qeverinë.

Prandaj, këto amendime synojnë të forcojnë zbatimin e vullnetit të parlamentit dhe pakicës parlamentare, për të rritur kontrollin, llogaridhënien por atë çfarë është më e rëndësishme për të rritur përgjegjësinë finale të atyre që do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin e fondeve publike.

Ne i japim zgjidhje problemeve kryesore që ekzistojnë duke filluar nga tenderat që sot janë pa garë, duke vazhduar me tenderat të cilët sot konsiderohen sekret; me burimet e financimit të kompanive të cilat sot janë kompani që nuk i njeh askush dhe bëjnë biznes me shtetin. Duke vazhduar me aksesin e informacionit, por njëkohësisht me transparencën dhe duke përfunduar me llogaridhënien.

Unë besoj që nuk ka absolutisht asgjë më të rëndësishme për Shqipërinë e vitit 2022, për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë këtu sesa përgjegjësia finale për këdo që abuzon me fondet publike!

Sa të kemi mundësi dhe sa të kemi fuqi do ta bëjmë këtë në opozitë duke dhënë alternativa, ide, duke dhënë zgjidhje. Nesër në qeverisje, sigurisht duke e treguar me vepra konkrete!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit