Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë” dhe se “Beogradi dhe populli serb dëshirojnë paqe dhe gjithmonë insistojnë në paqe”.
“Populli serb është ngopur me terrorin e Kurtit dhe nuk do të durojmë më, populli serb do të përgjigjet me gjithë çka ka kundër agresionit të Kurtit”, tha ai përmes një postimi në Facebook, duke mos ofruar dëshmi për pretendimet e bëra.
Ky reagim i Petkoviçit vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiçit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Autoritetet në Kosovë thanë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që barrikadat të hiqen menjëherë dhe akuzoi Serbinë se po ushtron “agresion” ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se dëshiron të dërgojë trupa ushtarake dhe policore në Kosovë./REL