Mëngjesin e sotëm ish-ministri, Aldo Bumçi është paraqitur në SPAK. Sipas raportimeve Bumçi është paraqitur, pranë strukturës rreth orës 9:30 të mëngjesit për të dëshmuar lidhur me çështjen e Gërdecit, si person që ka informacion për ngjarjen.
Kujtojmë që më herët në lidhje me këtë çështje është marrë në pyetje edhe ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu.
SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Shpërthimi i Gërdecit:
Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.