Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, tha se marrëveshja për lëvizjen e armëve të rënda nga centrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhja është ende duke u diskutuar.
Por, ai shtoi se ishte marrë vendim për të dërguar ekipe të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), në të gjitha centralet bërthamore të Ukrainës.
Shmyhal nuk dha më shumë detaje, por këto komente i bëri, më 13 dhjetor, pas takimeve që pati në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe shefin e IAEA-s, Rafael Grossi, ku u diskutua për centralin bërthamor në Zaporizhja.
“Rusët kanë ende një qëndrim të fortë ndaj centralit bërthamor”, tha ai në televizionin ukrainas.
“Negociatat po zhvillohen si nga pala franceze, ashtu edhe nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”, tha ai.
Vendimi për të dërguar ekipe të IAEA-s në të gjitha centralet është pjesë e një përpjekjeje për të shmangur një katastrofë në zonën e luftës.
Grossi, deklaroi më heret se ai mbetet “tmerrësisht i shqetësuar për situatën në central, i cili është burim rreziku për aq kohë sa vazhdojnë bombardimet”./REL