Franca është në finalen e Kupës së Botës duke kapërcyer të gjitha pengesat në fushë, por është në alarm me atë që po ndodh jashtë saj, që është shfaqja e disa rasteve me virusin e devesë.
“AS” shkruan se dy lojtarët e prekur janë Upamecano dhe Rabiot, të cilët nuk mundën të luanin asnjë minutë kundër Marokut në gjysmëfinale.
Për më tepër, Rabiot qëndroi në hotel i izoluar. Në Katar ka shqetësim për këtë virus të njohur si “deveja” që po prek shumë prej atyre që ndjekin Kupën e Botës.
Vetë trajneri francez, Didier Deschamps, ka bërë të ditur se përveç të dyve ka edhe një tjetër futbollist me të njëjtat simptoma. Ky është Kingsley Coman, i cili gjithashtu nuk ka mundur të marrë pjesë në ndeshje.
“Coman gjithashtu kishte ethe këtë mëngjes. Kemi pasur disa raste me simptoma të ngjashme me gripin. Po mundohemi të jemi të kujdesshëm që të mos përhapet dhe lojtarët kanë bërë një përpjekje të madhe në fushë”, tha trajneri.
Deschamps shpjegoi se çfarë protokolli po përdoret që futbollistët të mbërrijnë në kohë në finalen e së dielës dhe mbi të gjitha që të mos ketë më raste. “Dayot Upamecano u ndje keq menjëherë pas ndeshjes kundër Anglisë. Ndodh kur sforcohesh kaq shumë, trupi yt dobësohet dhe je më i prirur të marrësh këto viruse.
Ne po marrim të gjitha masat e nevojshme, po përpiqemi të sigurohemi që të mos përhapet, por viruset janë sigurisht infektive dhe duhet të marrim masa paraprake kundër tyre, duke i izoluar lojtarët” tha ai.