Ministrat e Bashkimit Evropian votuan në fillim të javës për t’i dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim Bosnje Hercegovinës. Vendimi përfundimtar duhet të miratohet nga udhëheqësit e bllokut që takohen sot. Por banorët e Sarajevës kanë mëdyshjet e tyre duke marrë parasysh ngurrimin që kanë disa vende për zgjerimin e BE-së me anëtar të rinj.
Banorët e Sarajevës nuk janë tërësisht të bindur se vendi i tyre do të arrijë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Nuk pres shumë nga anëtarësimi në BE. Serbia është kandidate që nga viti 2012, ndërsa Turqia ka qenë kandidate për 20, ose 30 vjet. Nuk shoh që ky status do të përmirësojë shumë jetën dhe standardin e njerëzve në vendin tonë”, tha Haris Szonlic, banor i Sarajevës.
Procesi për t’u bashkuar me BE-në mund të zgjasë shumë vite dhe përfshin negociata të vështira për përshtatjen e ligjeve të shteteve të veçanta me ato të BE-së.
Koha e gjatë e pritjes për anëtarësimin në BE është një tjetër arsye pse boshnjakët janë skeptikë.
“Nuk mendoj asgjë të veçantë për statusin e kandidatit. Mund të duhen 10, ose 15 vjet. Mendoj se është një gjë e mirë, por nuk varet nga ne, por nga politikanët tanë”, tha Drita Çausheviç Sarvan./VOA