Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, është ndër liderët e parë të vendeve të BE-së, i cili ka uruar Kosovën për dorëzimin e kërkesës formale për anëtarësim në BE.
Nga Brukseli, ku sot po mbahet samiti i liderëve të shteteve anëtare të bllokut, ka përshëndetur këtë hap që ka bërë Kosova, dhe ka premtuar ndihmë nga përvoja që ka pasur Kroacia në rrugën drejt anëtarësimit.
“Përshëndesim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i dëshirojmë shumë sukses në udhëtimin evropian. Do të vazhdojmë t’i japim mbështetje dhe do t’ia ofrojmë përvojën tonë kroate. Urime kryeministrit, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani”, ka shkruar ai në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet./REL