Kreu i PD-së, Sali Berisha ka organizuar një takim ditën e sotme me fituesit e primareve për bashkitë. Berisha është shprehur se është hera e parë që kandidatët marrin vota nga anëtarët dhe simpatizantët në atë numër të lartë pjesëmarrësish.
“Ju keni dalë nga një garë, ku keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj. Keni dëshmuar në tersi civilitetin dhe integritet, me garën që keni bërë keni ridimensionuar pluralitetin në Shqipëri.
Nuk ka parti më të hapur se partia që bazohet në garë dhe në konkurrencën për zgjedhjen e institucioneve të saj.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i garës qëndron në përmbysjen përfundimtare të përfaqësimit nga përfaqësimi i kryesisë deri te simpatizantët, ky është modeli më demokratik i një force politike.” është shprehur Berisha, teksa ka pranuar se gara nuk ishte perfekte.