Ministrit të mbrojtjes të Finlandës, Antti Kaikkonen ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se ka marrë vendimin për të marrë dy muaj lejen e atësisë në mes të procesit të pranimit të vendit në NATO.
Ministrja e financave dhe kryetarja e Partisë së Qendrës, Anika Saariko shprehu mbështetjen e saj në lidhje me vendimin e kolegut të saj.
Kaikonen njoftoi të martën përmes Twitter se do të marrë një leje dymujore nga detyra duke filluar nga 6 janari për të rritur fëmijën e tij të dytë i lindur në korrik.
“Fëmijët janë ende të vegjël dhe nuk dua t’i kujtoj vetëm nga fotot,” shpjegoi ai.
Ashtu si në vendet e tjera nordike, në Finlandë është e zakonshme që burrat të marrin lejen e atësisë pas lindjes së fëmijës së tyre.
Ata kanë të drejtë për 54 ditë pushim dhe pothuajse 80% e përdorin këtë të drejtë, edhe pse shpesh nuk i përdorin të 54 ditët
Megjithatë politikanë rrallë kërkojnë leje të atësisë dhe Kaikkonen është një nga të parët.
Ish-kryeministri, Paavo Lipponen ishte i pari që mori lejen e atësisë pasi mori dy herë pushimin por vetëm për disa ditë.
Detyrat e Kaikkonen në ministri do të merren përkohësisht nga deputeti i Partisë së Qendrës, Mikos Savola.
Finlanda dhe Suedia braktisën politikën e tyre të neutralitetit pas pushtimit rus të Ukrainës dhe në maj paraqitën një kërkesë për t’u bashkuar me NATO-n.
Nga 30 anëtarët e Aleancës vetëm Hungaria dhe Turqia ende nuk e kanë ratifikuar anëtarësimin, me këtë të fundit që kërkon që Stokholmi dhe Helsinki të marrin masa më të ashpra kundër organizatave kurde që i konsideron “terroriste”.